4/7/13

Milo: Bashkëpunimi PS-LSI jo transparent


Bashkëpunimi parazgjedhor i PS-së me LSI-në është jo transparent. Ky ishte reagimi i parë që kryetari i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, bëri dje për koalicionin e dy forcave politike të majta.
“Bashkëpunimi i PS me LSI ishte një skemë ku nuk u pyetën aleatët e tjerë të majtë të PS-së, çka u përjashtuan nga ky proces jo transparent. PDS do të jetë pjesë e frontit opozitar që do ta largojë këtë qeveri të korruptuar. Ne vijmë edhe në këto zgjedhje si forcë e majtë, por mund të them se koalicionet ndërtohen mbi bazën e negociatave të partive që duan të marrin pjesë në koalicion dhe ne jemi pjesë e një procesi negocimi ku do të kulmohet me një marrëveshje. Forca jonë politike nuk mund të pranojë korrupsionin dhe as koalicionet që ndryshojnë ngjyrë si kameleonët dhe as mund të harrojmë 21 janarin, ndaj për këtë do të jemi forca më e drejtë në këto zgjedhje elektorale”, tha Milo.

Këtë deklaratë Milo e bëri gjatë një takimi që pati me strukturat e PDS-së në qytetin e Gjirokastrës. Kreu i PDS-së nuk kishte komentuar më parë bashkimin e LSI-së në koalicion parazgjedhor me PS, duke pritur të marrë më shumë sqarime nga Edi Rama. Milo ka vijuar më tej në akuzat e tij, duke thënë se LSI ka qenë pjesë e qeverisjes e djathtë, e cila është akuzuar shumë nga Partia Socialiste.
“Kjo qeveri ka qenë dhe mbetet kampione e korrupsionit. Nëse do të bënim një analizë laboratorike të korrupsionit të kësaj qeverie, sigurisht që do të na dalë që ky virus ka qenë në të gjitha poret e kësaj qeverisjeje dhe askush nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë për korrupsionin galopant që ka mbërthyer këtë maxhorancë. Nëse një parti sot shfaqet me një fytyrë dhe nesër me një fytyrë tjetër, ajo ka tjetërsuar qenien e vet. Pra nuk është ajo që të është shfaqur, por shfaqet kameleoni që ka ndryshuar ngjyrën sipas stinëve, sipas interesit”, tha Milo.

No comments:

Post a Comment