4/6/13

PS prezanton programin ne qyteti i Elbasanit


ELBASAN - Partia Socialiste prezantoi sot në qytetin e Elbasanit, programin e saj “Për një Rilindje Shqiptare. Kryesocialisti Edi Rama siguroi mbështetësit e PS-së se aleanca parazgjedhore me LSI-në do të bëjë të mundur mbrojtjen e votës më 23 qershor. Lideri i opozitës tha se koalicioni opozitar do të forcohet edhe më tej, ndërsa nënvizoi se zotimet dhe parimet e programit të PS-së nuk do të lëvizin asnjë presje. 

“Sot jemi koalicion më i madh, bashkimi ynë me LSI ka ndryshuar vetëm një gjë. Sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe familja e tij janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë më i madh deri ditën kur do të regjistrohet për të hyre ne zgjedhje.”- u shpreh Rama


Shefi i opozitës akuzoi kryeministrin Berisha për keqqeverisje dhe kapje të institucioneve të shtetit, ndërsa shprehu shqetësim për rritjen e kriminalitetit në vend, duke përmendur ngjarjet tragjike të 24 orëve të fundit, të cilat regjistrojnë 5 viktima, të gjitha femra. 

“Në harkun e më pak se 24 orëve, 5 gra kanë humbur jetën. Kjo është Shqipëria që ne kemi, Shqipëria qe ne duam të rilindim. Kjo është Shqipëria të cilën në vitin 2005 Saliu dhe PD e morën duke i treguar duart e pastra, tek të cilat fatkeqësisht pati shumë njerëz që besuan, ashtu sikundër marrja e Shqipërisë nga ato duar u bë e mundur, sepse duart tona nuk ishin të bashkuara. Qysh atëherë kur Shqipëria regjistronte 8250 krime në vit, krimi ka marrë përmasa alarmante. 20688 krime vitin e shkuar.”- u shpreh Rama

Sipas kryesocialistit, “policia e shtetit është një trupë e çoroditur e cila mbron qeverinë nga populli ndërsa kupola e Ministrisë së Brendshme funksionin si pikë ndërlidhjeje me krimin.” 

Më tej Rama ftoi qytetarët të votojnë për PS-në, pasi siç tha ai, socialistët do të rilindin shpresën dhe dinjitetin e çdo personi. 
“Ne nuk do të bëjmë mrekullia, por ne do ta rilindim Shqipërinë. Kujt fjala rilindje i duket si një blasfemi, këtu bëhet fjalë për të rilindur shpresën, duke rilindur dinjitetin e çdo personi. Ndryshimi mes nesh dhe atyre është se për ata qytetarët janë zgjedhës, për ne socialistët qytetarët janë njerëz. Programi ynë është program për të gjithë shqiptarët dhe i adresohet atyre. Qytetarët të votojnë programin për një rilindje shqiptare dhe të kuptojnë që për ta realizuar këtë fitore na duhet fitorja. Dhe të jenë të sigurt që me programin e PS do të rilindin edhe demokratët sepse do të rilindi edhe Partia Demokratike.”- u shpreh Rama

Lidhur me situatën me rrugët, Rama ironizoi 10 mijë kilometrat e asfaltuara që ka prezantuar qeveria. Sipas Ramës, qeverisë i mbetet që të shpojë tashmë boshtin e tokës dhe të dalë në anën tjetër. 
“Këta kanë bërë po kaq shumë rrugë sa për të shtruar rrugën nga Tirana në Tokio, pale të diskutojmë për gjithë këto vende pune që kanë hapur. Nëse kanë bërë 10 mijë, i bie të shpojnë dhe tokën dhe të dalin nga ana tjetër.”- tha Rama

Duke folur për programin e PS-së për skemën e ndihmës ekonomike, Rama tha se "përmes programit të ndihmës ekonomike që është një program i riintegrimit shoqëri, do ti japim mundësi çdo qytetari që të përfitojë përmes punës, duke marrë më shumë para se sa merr nga ndihma ekonomike dhe njëkohësisht tu ofrojë një shërbim komunitetit". 

Përsa i përket zhvillimit rural, Rama tha se "ne do tu japim mundësinë fermerëve që përmes tokës të prodhojnë mirëqenie". "Kryeministri Berisha nuk po premton asnjë gjë të re në takimet që po zhvillon me fermerët, pasi heqja e TVSH-së së makinerive, farërave dhe plehrave, kanë qenë propozimet e PS-së, që janë refuzuar më parë nga qeveria në parlament, ndërsa sot paraqiten si ide të reja", tha ai. Gjithashtu Rama premtoi se "në 100 ditët e para që qeverisjes, PS do të ndalojë importin e mbetjeve nga jashtë". 

Qazim Sejdini: Më 23 qershor Shqipëria do të ketë kryeministrin e rilindjes 
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini tha se ekonomia dhe zhvillimi në Elbasan janë pa politika. “Papunësia është zyrtarisht në shifra të rreme. Janë 36 % të papunë, vetëm në qytetin e Elbasanit. Sot emigrantët kur kthehen gjejnë një vend me varfëri ekstreme. Çmimi i naftës për bujqësinë sot është rreth 3 herë më i shtrenjtë se në vitin 2005. Borxhi publik është mbi 60% e GDP. Kemi sot rreth 13.7% të popullsisë që nuk kanë as të ardhurat minimale për të jetuar. Biznesi i vogël është në një situatë për të ardhur keq. Brenda gjashtë mujorit të parë të qeverisjes socialiste të kemi landfillin për mbetjet. Programi i PS për rajonin e Elbasanit ka në qendër njeriun. Për ne forca e ndryshimit është forca e njeriut. Ne do të jemi atdheu që rilind për gjithë emigrantët. Në 24 qershor Shqipëria do të ketë një kryeministër tjetër, kryeministrin e Rilindjes, kryeministrin vizionar, Edi Rama.”- u shpreh Sejdini. 

Blushi: Berisha, kryeministri më i lehtë për tu mundur 
“Berisha është kryeministri më i lehtë për tu mundur, mos keni frikë. Atij i ka mbetur vetëm një gjë, po pret që ne ta mundim.”. Kështu u shpreh, deputeti i PS-së, Ben Blushi gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit për një Rilindje Shqiptare në qytetin Elbasanit. Blushi foli për të majtën e bashkuar, për të cilën tha ishte e nevojshme, në mos e domosdoshme. “E majta është bashkuar. Të gjithë atyre që mendojnë se kjo ishte një gjë jo shumë e nevojshme, apo për disa e panevojshme, unë ju them se ishte e nevojshme, ndoshta e domosdoshme. E shkuara nuk ka pse të na mbajë më peng. Duke u bashkuar do jemi më shumë, më të fortë dhe sigurisht fitues.”- tha Blushi. 

Tahiri: Me kryeministër Ramën ne do të rilindnim Policinë e Shtetit 
“Për ne krimi s’ka ngjyrë politike. Për ne s’ka pandëshkueshmëri, jemi të përkushtuar me vullnet maksimal për zbatim të ligjit pa dallim. Partia Socialiste angazhohet që pas 23 qershorit, brenda 300 ditëve ta kthejmë Policinë e Shtetit në detyrë, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve në çdo qytet. Me kryeministër Edi Ramën ne do të rilindnim Policinë e Shtetit.” – u shpreh Saimir Tahiri. 

Fidel Ylli: Do ta shpëtojmë sportin nga uzurpimi politik 
“Janë bërë shkollat vetëm si reparte militantësh që duhen dhe përdoren për mitingje partiake. Ne do i japim fund kësaj kulture. Vlerat e qytetit të Elbasanit në sport janë të padiskutueshme dhe ndaj jemi të nxitur që të rikthejmë edukimin sportiv. Qeveria Berisha prishi të gjithë terrenet sportive, largoi mësuesit nga puna. Por ne do ta stopojmë rrënimin e gjithë infrastrukturës sportive. Ne do rikthejmë sipas standardeve të Bashkimit Europian, orët e edukimit sportiv, 3 deri në 5 orë në javë. Ne do të rrisim punësimin përmes këtij drafti të kapitullit për sportin. Do shtojmë 1200 mësues të edukimit fizik. Do shtojmë orët e mësimit edhe me qëllimin që të largojmë të rinjtë nga krimi, nga droga, nga alkooli dhe bingot. Shëndeti i njerëzve është aseti më i çmuar për PS në qeverisjen e saj dhe në 23 qershor do nisë Rilindja jo vetëm në sport, po në të gjithë fushat.”- u shpreh Fidell Ylli. 

Mimi Kodheli: PS do krijojë 300 mije vende të reja pune 
“Heqja e tavanit të borxhit vitin e kaluar përbën precedentin më të rrezikshëm për financat shqiptare. Nga 4.7 mld dollar në vitin 2005 këtë vit do të arrij në 9 mld dollarë dhe pas tre vitesh do të jetë 10 mld dollarë. Rreth 2/3 e asaj që do prodhojmë do ta kemi vetëm borxh. Sot niveli i kredive të këqija ka arritur 1 mld euro. Kjo qeveri premtoi rritje të punësimit me 160 mijë vende pune të reja, s’ka mundur të marrë qoftë edhe një vend të ri pune. Ndaj Partia Socialiste ka vlerësuar se do të krijojë deri në 300 mijë vende të reja pune për uljen e varfërisë dhe të borxheve. Është objektivi më madhor i Partisë Socialiste.”- deklaroi Mimi Kodheli. 

Shalsi: Të djathtë i janë bashkuar programit tonë 
“Të djathtë i janë bashkuar programit tonë, sepse të gjithë e ndjejnë peshën e rëndë të kësaj qeverie. Sot shqiptarët paguajnë shumë shtrenjtë energjinë elektrike. Ata që e paguajnë kompensojnë edhe ata që nuk e paguajnë. CEZ i famshëm që e trumbetuan si sukses i madh tashmë e përzunë. Ne angazhohemi që ti sjellim Shqipërisë një model të ri tregu konkurrues ashtu sikundër na e kërkon Bashkimi Europian. Do të reduktojmë ndjeshëm TVSH mbi energjinë elektrike” –deklaroi Eduard Shalsi. 

No comments:

Post a Comment