4/11/13

Zgjedhjet 2013 :Aleanca me PS, dorëhiqet Petrit Vasili si nënkryetar i Bashkisë, Tiranë


Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike.

Një ndër largimet nga postet zyrtarë pas aleancës PS-LSI ka qenë ditën e sotme dhe ajo e z Petrit Vasili ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Mësohet se Vasili ka informuar kreun e Bashkisë, z Lulzim Basha përmes një letre ku theksohet se “angazhimi im elektoral ka qenë dhe motivacioni për marrjen e këtij vendimi”.



Po sot edhe Drejtori i Spitalit të Vlorës, njëherësh kreu i LSI-së në këtë qytet dha dorëheqjen mëngjesin e sotëm. Nëpërmjet një deklarate për mediat, Selami bën me dije se vendimi i tij erdhi pasi mbrëmjen e djeshme ka marrë një shkresë nga Ministria e Shëndetësisë ku i kërkohej të jepte dorëheqjen. Selami thekson se largimi i tij lë pezull 2 projekte të rëndësishme për spitalin që sipas tij do të vijojnë pas 23 qershorit. Tashmë postin e drejtorit të pitalit rajonal të Vlorës do ta mbajë Remzi Haxhiu.

Ndërkaq, reagon edhe Ministria e Shëndetësisë në lidhje me deklaratën e Shkëlqim Selamit. Sipas këtij institucioni, atij nuk i është kërkuar dorëheqje, por është shkarkuar nga Ministria, e cila synon një rritje të performancës në spitalin e Vlorës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit.

Ndërkohë, në vazhdën e largimeve të LSI , gjatë ditës së djeshme kanë paraqitur dorëheqjen drejtori i politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Prefekturës në Vlorë, Kasem Cenaj. Vetë Cenaj është shprehur se largimi i tij, bëhet për arsye të angazhimeve politike. Ndërkaq prefekti i Vlorës, Eduard Vecani nga radhët e PD-së, paralajmëron se nëse të gjithë drejtuesit që janë vendosur politikisht nga LSI nuk dorëhiqen, atëherë do të shkarkohen.

LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme. LSI përfaqësohej në Ekzekutiv me postin e zëvendëskryeministrit, ministrin e Ekonomisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtëm. Po ashtu, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta kishte 7 poste zëvendësministrash në Ekzekutiv, në disa prej sektorëve më të rëndësishëm, siç janë Ministria e Arsimit, Punës, Transporteve, Ekonomisë, Integrimit dhe Bujqësisë dhe Punëve të Jashtme.

Postet e LSI në administratë: 
Zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë
Ministër i Jashtëm
Ministër i Shëndetësisë
Zv.ministër i Jashtëm
Zv.ministër i Integrimit
Zv.ministër i Ekonomisë
Zv.ministër i Punëve Publike
Zv.ministër i Arsimit
Zv.ministër i Punës
Zv.ministër i Bujqësisë
Prefekt i Fierit
Prefekti i Durrësit
Agjencia e Trafikut Ajror (ANTA)
Drejtoria e Transportit Tiranë
N/drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve
Drejtor i KESH
Drejtor i QSUT
Drejtor i Spitaleve (Elbasan, Vlorë, Lezhë, Gjirokastër)
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore
Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve
Agjencia Kombëtare Bërthamore
Qendra Kombëtare e Regjistrimit
Qendra Kombëtare e Licencimit
Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit
Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave
Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar
Inspektorati Qendror Teknik
Reparti i Inspektim dhe Shpëtim-Minierave
Sekretariati për Transparence në Industrinë Nxjerrëse

No comments:

Post a Comment