6/21/13

PS mbyll fushaten ne Vlore e Shkoder

SHKODER/VLORE - Pak orë përpara mbylljes së fushatës elektorale, Partia Socialiste zhvilloi në të njëjtën kohë dy mitingje përmbyllëse në qytetin e Vlorës dhe në Shkodër. Kryesuesit e listave të kandidatëve në qarqe, iu drejtuan njëkohësisht mbështetësve të mbledhur në Shkodër dhe Vlorë, përmes ekraneve gjigande të vendosura në sheshe.



Fillimisht, kryetari i PS-së Edi Rama ishte në Shkodër, ku theksoi se era e Rilindjes po fryn fort në kryeqendrën e veriut. Kryesocialisti ftoi shkodranët të votojnë në datën 23 Qershor, Rilindjen, dhe t’i japin fund ndasive të vjetra.

Lideri i socialistëve u shpreh i lumtur që fushata zgjedhore përmbyllet në dy qendra të rëndësishme të vendit, të cilat i cilësoi si qytetet e krenarisë së shqiptarëve.

Pas fjalimit në Shkodër, Rama u nis drejt “Sheshit të Flamurit” në Vlorë, prej ku theksoi zotimin e socialistëve për të rilindur Shqipërinë. Sipas Ramës, fryma e rilindjes do të trokasë përmes numrin 29.

“Sot shqiptarët janë të thirrur të provojnë atë që thoshte Mit’hat Frashëri, në liri lufta jonë është puna. Një frymë e re e bën një komb të marrë një shpirt të ri. Këto fjalë të një burri të mençur të këtij dheu i sjell këtu era e rilindjes dhe fryma e re e rilindjes që po vjen dhe do të trokasë përmes numrit 29. Në 23 qershor do ti sjellë këtij kombi një shpirt të ri. Me fuqinë e jashtëzakonshme të votës së saj, me fuqinë supreme të autoritetit moral dhe kombëtar që Vlora e ka prej historisë. Ky qytet do ti hapë rrugë, bashkë me Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë, projektit të rilindjes.”- u shpreh Rama.

Duke shpjeguar avantazhet që sipas tij do të sjellë shenja tek numri 29 në fletën e votimit, Rama premtoi lehtësira fiskale për bizneset, mbështetje për fermerët e vendit, legalizimet falas për zonat informale, rilindjen e arsimit dhe shërbim shëndetësor falas për të gjithë.

“Duke vendosur vetëm një shenjë tek numri 29 do të vendosin heqjen e taksës për biznesin e vogël dhe përgjysmimin e tatimit të fitimit. Kështu një pjesë e këtij populli që jeton me vetë punësim do ta flakë barrën e taksës së sheshtë dhe do të ngrihet të hënën e ardhshme duke marrë frymë lirisht. Në 23 qershor, numri 29 nuk do të ndryshojë thjesht një qeveri me një tjetër, por do të ndryshojë rrugën e jetës të atyre që jetojnë në fshat, sepse 29-ta ky numër i bekuar i çlirimit do t’i çlirojë gratë dhe burrat që jetojnë me tokën, nga barra e papërballueshme e kostove të prodhimit. Vota për PS-në dhe për numrin 29 është një shenjë që vlen sa certifikata e tokës. Duke vënë shenjën tek 29 do të firmosin letrat e legalizimit falas, me të gjitha shpenzimet që do të përballohen nga shteti i rilindur i shqiptarëve. 23 qershori do të jetë e dita e çlirimit të sipërmarrësve të mëdhenj nga babëzia e madhe e të korruptuarve që i janë qepur sipërmarrjes për ta zhvatur deri në qindarkën e fundit”- deklaroi Rama.

GRAMOZ RUÇI: VOTONI PËR TË HEQUR KËTË SUNDIMTAR 
Nga Vlora, Gramoz Ruçi ftoi të gjithë qytetarët të votojnë Partinë Socialiste më 23 qershor.
“Përshëndetje Vlora e kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë. Edhe dy ditë na ndajnë për tu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Kush e la Shqipërinë me një shtet jo në shërbimit të qytetarëve por të pushtetarëve. Kush Shqipërinë e la për 8 vjet më të papunë. Kush i la shqiptarët më të varfër 8 vjet, kush Vlorën donte ta linte pa festën e 100-vjetorit të pavarësisë. Kush Shqipërinë e la jashtë dyerve të Europës.. Kush Shqipërinë e rëndit si vendin më të korruptuar të Europës. Kush vrau 26 veta në gërdec. Kush vrau katër socialistë. Që t’ju japim përgjigje ka vetëm një minutë. Ditën e dielë çdo shqiptar që do tu japë përgjigje këtyre pyetjeve le të vijë të marrë pjesë në votime. Ejani në votime për të hequr këtë sundimtar.”

MAJKO: NËNA VLORË TË TA THEM LABÇE, I KA VDEKUR NËNA DO FITOJMË 
Nga Shkodra Pandeli Majko u shpreh i bindur për fitoren e socialistëve më 23 qershor.

“Nëna Vlorë të ta them labçe, i ka vdekur nëna do fitojmë. Sot për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve, shqiptarët e Vlorës dhe të Shkodrës kënduan bashkë himnin e shqiptarëve. Jemi të gjithë këtu në një besëlidhje të madhe sepse duam ndryshimin, duam të ngremë flamurin e ndryshimit”- deklaroi Majko.

No comments:

Post a Comment