4/29/13

Berisha: Aleanca e majtë, ‘qelbësirat’ bashkë kundra meje, halat e Lalzit do u ngecin në fyt


Kryeministri Sali Berisha ka qenë i pranishëm paraditen e sotme në rikonstruksionin e rrugës Kodhel-Dajç- Blinisht. Në një fjalë para banorëve të zonës, Berisha nuk ka kursyer akuza ndaj kundërshtarit politik, Edi Rama dhe aleatëve që i janë bashkuar në koalicion për zgjedhjet parlamentare 2013.

Sipas Berishës, Rama ka fyer dhe vetë aleatët me thirrjen që u ka bërë për koalicion.



“Aleanca tjetër cila është? Jua them unë, si ka thënë kryetari, por si do ju vinte ta thoja unë Sali Berisha. Do thoja fundërrina bashkohuni kundra qelbësirës. A do ju duket një fjalë e papërshtatshme, që për javë të tëra hapën shtypin dhe mediat, ku thuhej, ‘Qelbësira bashkohuni të përmbysim Berishën’. Nuk ua kam thënë unë këtë, por idelogë kryesore të tyre pasi u bashkuan. U mbetën halat e Lalzit në fyt. Atë ia thashë unë atij, një nga një do ua ngecë halat atij. Aleanca e tyre nuk është e vërtetë, 4 parti komuniste, 3 partie serial-killerash e hajdutësh, shikoni listën nga 35 parti që ka në listë, 25 nuk kane qenë kurrë në zgjedhje. Merrni listën e 2009, mashtron me emra, ai le të merret me mashtrime e trillime, se ne merremi me halle e derte, me fitoren e shkëlqyer të fitores së 2013”.

Kryeministri ftoi kreun e PS, Rama të bashkëpunojë me mazhorancën për të mundësuar votimin e emigrantëve jashtë vendit.
“Edhe njëherë këtu e ftoj z Rama të votojmë së bashku ligjin për votimin e emigrantëve. A do realizonte kjo qeveri votimin 'online' të emigrantëve kudo që janë në Europë dhe Botë. Por ti nuk e bën këtë, megjithë frikërat që ke, frikën më të tmerrshme e ke nga vota, nga kjo nuk të shëroj dot, do të shërojnë shqiptarët. Ti në kokë mban një Shqipëri që nuk ekziston. Të ka mbetur ora në kohën e Sela Musait, se sot shqiptarët kanë një rrugë, forca e tyre vendimi më i rëndësishëm qëndron në votën e tyre të lirë. 23 qershori po vjen, ne jemi ndryshimi, përpara!”

BERISHA: E KAM NJE AMANET 
Ndërsa duke folur për investimin në rrugën Kodhel-Dajç-Blinisht në Lezhë, kreu i qeverisë ndau me të pranishmit, një amanet, siç e cilësoi ai.
“Ne kemi asfaltuar ndërtuar e rindërtuar 18 mijë km rrugë, nga Blinishti në Fushë Krujë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 500 km rrugë. Por kam një amanet, populli thotë nuk e tret as dheu. Mirëmbrëma z Berisha, jam Roland Zekaj, lindur në Bacel, Lezhë, banim në Vareze, Itali. Bëj një xhiro deri në fshatin tim ku për 2 km rrugë bashkëfshatarët vuajnë se rruga nuk është e mirë. Unë i jap fjalën Rolandit projektin e rrugës dhe Rolandit dhe gjithë miqve të tij, në Greqi, Itali e çdo vend të botës se do bëjmë gjithçka që vendet ku jetojnë familjarët e tyre të kenë atë infrastrukturë që kanë ata ku aty punojnë. Kjo është rruga e zhvillimit e ndërtimit të Shqipërisë, rruga e një vendi të zhvilluar”.

Berisha premtoi gjithashtu se qeveria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për ëndrrën evropiane të shqiptarëve. “Ne ia dolëm të heqim vizat, shqiptarët lëvizin të lirë në Evropë. Me reforma ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat”,- tha ai, duke kujtuar se votimi i tre ligjeve pret votën e shqiptareve në 23 qershor.

Rruga Kodhel-Dajç- Blinisht 8.4 km e gjatë, lidh dy komunat jo vetëm me njëra-tjetrën, por dhe me superstradën Lezhë- Shkodër.

Kjo rrugë është financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë. Gjendja e rrugës ekzistuese ka qënë shumë e keqe, duke u bërë pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave.

Rruga ka qenë e pa asfaltuar, me gropa dhe e pakalueshme nga automjetet e të gjitha llojeve sidomos në sezonin e shirave.

No comments:

Post a Comment