4/9/13

PS: Makrabiteti i krimit ndaj grave dhe vajzave dëshmi e varfërisë


Partia Socialiste ka vijuar edhe sot asaj që ajo e quan, “100 arsye për të mos votuar Berishën”. Deputetja e PS-së Eglantina Gjermeni, në një deklaratë për mediat akuzoi qeverinë se makabriteti i rasteve që na paraqet kronika e zezë janë dëshmi e varfërisë dhe dëshpërimit social por dhe e pasigurisë për jetën që është kthyer në makth për shqiptarët.

“76 ditë na ndajnë nga 23 qershori, dita kur shqiptarët do të ndëshkojnë me votë Sali Berishën. Dhuna ndaj grave dhe vajzave, krimi në familje ka pësuar rritje të frikëshme në këto vitet e fundit. Makabriteti i rasteve që na paraqet kronika e zezë janë dëshmi e varfërisë dhe dëshpërimit social por dhe e pasigurisë për jetën që është kthyer në makth për shqiptarët.
Gratë dhe vajzat shqiptare janë ende më të kërcënuara, jo vetëm nga përjashtimi social, por dhe nga pasiguria për shkak të statusit që kanë në familje dhe shoqërinë shqiptare. Ky është një tjetër dështim dhe një arsye që shqiptarët të mos votojnë Sali Berishën në 23 qershor. Ajo që shikojmë në realitetin tonë rëndom është që gratë dhe vajzat kanë përjetuar edhe përjetojnë varfëri, papunësi, diskriminim gjinor dhe moshor, përfaqësim të ulët në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, akses më të pakët në shërbime shëndetësore edhe sociale, dhunë në familje, etj, probleme të cilat tregojnë se jemi ende larg një shoqërie ku të drejtat e grave zbatohen dhe respektohen si pjesë e të drejtave të njeriut. Qeveria u angazhua për të ngritur mekanizmin kombëtar të referimit për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare por ligji nuk është zbatuar, ashtu si edhe i gjithë legjislacioni në mbrojtje të gruas. Gjashtë vjet pas daljes së Ligjit mbi mbrojtjen ligjore falas, grave dhe vajzave u është mohuar kjo e drejtë”, deklaroi Gjermeni.

Gjermeni tha se përqasja e Programi të Rilindjes është fokusuar tek parandalimi i problemeve sociale përmes politikave të luftës kundër varfërisë, punësim, shërbime sociale në komunitet, bashkëpunimi me institucione duke synuar respektimin e të drejtave të grave dhe të vajzave dhe krijimin e hapësirave të përfaqësimit të tyre.

No comments:

Post a Comment